Radioja e Policisë merr dritën e gjelbër, Kadrijaj: Nuk e di nga kush do monitorohet

Radioja e Policisë së Kosovës do të ketë autorizim njëvjeçar për testimin e teknologjisë, ndërsa për funksionimin e saj do të ndahet frekuenca 92 dhe, sipas nevojës, edhe frekuenca të tjera.

Nisma ka nxitur reagime të ndryshme, ku janë ngritur shqetësime lidhur me financimin, pavarësinë editoriale dhe përputhshmërinë e saj me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, partia në pushtet ka apeluar që kjo çështje të mos shndërrohet në temë politike.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka shprehur kundërshtimet e saj ndaj kësaj nisme, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit, burimet e financimit dhe ndikimin e mundshëm politik në përmbajtjen që do të transmetojë radioja.

Madje Kadrijaj ka vënë në dyshim nevojën për krijimin e një radioje të tillë, duke konsideruar se në Kosovë ekzistojnë mjaftueshëm media që mbulojnë sektorë të ndryshëm, përfshirë çështjet e sigurisë.

Andaj ajo ka kërkuar sqarime edhe për institucionin që do të monitorojë funksionimin e radios, duke shprehur shqetësimin se ajo mund të shndërrohet në një instrument të qeverisë.

“Unë nuk kam parë një model të funksionimit të radios së policisë, kam shikua a ka dhe në rajon, askush nuk e ka. Këta Vetëvendosje gjithmonë shpikin diçka, ne në Kosovë kemi mjaft media që e mbulojnë çdo sektorë, ndoshta pikërisht të raporteve jo të mira të mediave me Kurtin, ka dashur ta vendos një si opozitë e mediave tona. Çdo veprim duhet të jetë në vazhdën e asaj, a përputhet me legjislacionin e BE një radio e tillë. Nuk e di nga kush do monitorohet, a do të merr urdhra nga ministria e brendshme se çka duhet të lansoj. Nëse do të jetë zgjatje e kësaj qeverie do të jem kritikuese dhe nuk do ndalem”, tha ajo

Artikuj të tjerë

Back to top button