
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me inicialet Ç.ZH., i dyshuar për grabitje
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çetta” në Gjakovë, në një lokal.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Ç. ZH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të grabitjes.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera ceket se i pandehuri Ç. ZH., më 10.10.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çetta” në Gjakovë, te “R. M. T.”, me kanosje serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër dhe me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit P.H. nga Gjakova, në atë mënyrë që, përderisa ankuesja M. F. ishte duke punuar në vendin dhe kohën e cekur më lart, i pandehuri, i maskuar, futet në lokal dhe nxjerr një thikë. Nën kërcënimin e thikës, e urdhëron punëtoren që t’ia japë të gjitha të hollat. Mirëpo, kjo e fundit, duke qenë e frikësuar dhe në panik, pa ditur se si të reagojë, i pandehuri e hap dollapin e vendit ku ndodheshin paratë, i merr të gjitha të hollat në shumën prej rreth 8.000 €. Më pas, i drejtohet punëtores duke i thënë që të mos e shikojë në fytyrë dhe del nga lokali, nga ku, me të hollat e grabitura, largohet nga vendi i ngjarjes.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, i pandehuri Ç. ZH., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit më 15 tetor 2026 deri më 15 nëntor 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.



