Policia nis kontrolle të shtuara ndaj automjeteve me xhama të errësuar dhe modifikime të paautorizuara

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë po vazhdon kontrollet e shtuara ndaj automjeteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë këtyre kontrolleve vëmendje e veçantë po u kushtohet automjeteve me xhama të errësuar, ndriçim të modifikuar, sisteme të ndryshuara të shkarkimit të gazrave dhe zhurmës, si dhe ndërhyrje të tjera të paautorizuara.

Policia ka bërë të ditur se automjetet te të cilat konstatohen parregullsi dërgohen në kontroll të jashtëzakonshëm teknik.

Gjatë këtij viti, një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar në kontrolle të tilla për verifikimin e gjendjes teknike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje shoferëve që të shmangin modifikimet e palejuara, të kujdesen për mirëmbajtjen e automjeteve dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

Artikuj të tjerë

Back to top button