Policia e ndaloi për kundërvajtje në trafik në autostradën “Ibrahim Rugova” 47 vjeçari arrestohet pasi dyshohet se kërcënoi policët

Incidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” ka bërë qe të arrestohet 47-vjeçari pas kërcënimeve të dyshuara ndaj policëve

Një mosmarrëveshje në trafik ka përfunduar me arrestimin e një personi në autostradën “Ibrahim Rugova”, në zonën e Prizrenit, pasi dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë raportuar se janë kërcënuar verbalisht nga një shofer.

Rasti ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 10:00, kur dy policë të veshur civilë kanë ndaluar një automjet për shkak të një shkeljeje të dyshuar të rregullave të komunikacionit.

Gjatë kontaktit me drejtuesin e automjetit, policët i janë prezantuar si zyrtarë policorë, por situata dyshohet se është tensionuar pasi shoferi nuk ka respektuar kërkesat e tyre dhe ka përdorur fjalë kërcënuese.

Personi i dyshuar është identifikuar si Z.Z rreth 47 vjeç.

Për të menaxhuar situatën, në vendin e ngjarjes është thirrur një patrullë policore, e cila ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe i ka shoqëruar palët në stacionin policor.

Pas veprimeve fillestare hetimore, 47-vjeçari është arrestuar dhe është dërguar në ndalim për 48 orë.

Rrethanat e plota të incidentit pritet të trajtohen nga organet kompetente.

Artikuj të tjerë

Back to top button