Vdekja e gruas me kancer, Zemaj: Pacientët pa terapi, Meditech-ut mbi 90 milionë nga tenderët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se për pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka rëndësi që pacientët humbin jetën për shkak të mungesës së terapisë, e rëndësishme për ta, sipas Zemajt, është që kompania farmaceutike e afërt me partinë në pushtet, fiton tenderë milionësh nga institucionet shëndetësore publike.

Reagimi i Zemajt erdhi pasi që një paciente me kancer të gjirit humbi jetën, si pasojë e mungesës së terapisë. Ajo nuk e kishte marrë terapinë për katër muaj.

Zemaj përmendi kompaninë Meditech për numrin e madh të tenderëve që kjo kompani ka fituar gjatë qeverisjes së VV-së, në vlerë rreth 100 milionë euro, e familjen e pronarit të së cilës Kryeministri Albin Kurti e kishte vizituar.

“A ka rëndësi kjo për pushtetin, jo nuk ka rëndësi!”. Pse? Sepse, e rëndësishme është se 174 tenderë i ka marrë një kompani farmaceutike, nga qeveria Kurti e MSh e Arben Vitisë. E rëndësishme është për ta që i kanë dhënë tenderë kësaj kompanie mbi 90 milionë euro. E rëndësishme është se Arben Vitia, Arijanit Jakupi dhe grupi i tyre janë të kënaqur”, shkroi Zemaj në Facebook.

“Por, edhe më e rëndësishme është se Albin Kurti shkon edhe në shtëpinë e kësaj kompanie dhe e nderon me vizitë”, shtoi ai.

Deputeti i LDK-së theksoi se “ndërsa pacientët dhe qytetarët vuajnë e vdesin, por për pushtetin e ‘rëndësishme’ është se propaganda vazhdon!”.

Artikuj të tjerë

Back to top button