
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, sigurinë dhe integrimin evropian në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të enjten në Milloçer të Malit të Zi.
Në këtë takim pritet të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, me synimin që ato të afrohen më shumë me Bashkimin Evropian.
Në takim pritet të marrin pjesë liderët e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe përfaqësues të vendeve dhe institucioneve evropiane.
Përveç diskutimeve politike, rëndësi e veçantë pritet t’i kushtohet mundësive për të thelluar lidhjet ekonomike, për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe për të avancuar nismat e përbashkëta që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.



