
Nëntë persona janë ndaluar nën dyshimin për përfshirje në mashtrime përmes qendrave të thirrjeve (Call Center), ku viktima dyshohet se kanë qenë shtetas të huaj, të cilëve u janë ofruar investime të ndryshme.
Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Burim Çerkini.
Sipas tij, aksioni policor është zhvilluar gjatë ditës së sotme në shtatë lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Të ndaluarit dyshohet se kanë përdorur qendra të thirrjeve për të mashtruar shtetas suedezë, duke i joshur me mundësi të ndryshme investimi.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa pritet të bëhen të ditura më shumë detaje lidhur me veprimtarinë e dyshuar dhe rolin e personave të ndaluar.



