
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, ka organizuar tryeza diskutimi me moton “Siguria në shkolla”, me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe dhunës në institucionet arsimore.
Sipas njoftimit të Policisë, aktivitetet janë realizuar nga 23 shtatori deri më 22 tetor 2026, në kuadër të angazhimeve të Divizionit të Policimit në Bashkësi dhe Sektorit për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve.
Tryezat janë mbajtur në Prishtinë, Prizren, Gjilan dhe Pejë, duke përfshirë këshillat e nxënësve dhe prindërve, mësimdhënësit, përfaqësuesit komunalë të arsimit, anëtarë të komunitetit dhe zyrtarë policorë.
Diskutimet janë përqendruar në parandalimin e dhunës në shkolla, raportimin e menjëhershëm të rasteve dhe hartimin e rekomandimeve për adresimin e këtyre çështjeve.
Policia ka bërë të ditur se rekomandimet e pranuara nga pjesëmarrësit do të analizohen dhe do të zbatohen në vazhdimësi.



