
Studentët dhe profesionistët e rinj të Mjekësisë u kanë drejtuar tetë kërkesa institucioneve të Kosovës, duke kërkuar përgjigje deri më 6 nëntor për çështjet që lidhen me dinjitetin, punësimin dhe perspektivën e tyre profesionale.
“Mjaft më! Duam të na ktheni dinjitetin!”, thuhet në thirrjen e publikuar nga iniciatori i kësaj nisme.
Sipas tij, pavarësisht viteve të studimit dhe sakrificave, shumë profesionistë të rinj shëndetësorë vazhdojnë të përballen me pasiguri për të ardhmen e tyre në Kosovë.
“7 vite studime, deri në licencim, dhe asnjë siguri për të ardhmen! Me titullin e doktorit, por me stazh pa pagesë. I licencuar, por i papunësuar. I papunësuar dhe pa perspektivë për specializim”, thuhet në reagim.
Në thirrje theksohet se mungesa e mundësive për punësim dhe zhvillim profesional po i shtyn profesionistët shëndetësorë që të ardhmen e tyre ta kërkojnë jashtë vendit.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë dinjitet, punësim dhe të ardhme të sigurt!”, thuhet më tej.
Iniciatori u ka bërë thirrje kolegëve që t’i bashkohen nismës dhe ta shpërndajnë atë në rrjetet sociale, duke theksuar se kërkesat duhet të marrin mbështetjen e gjithë komunitetit të Mjekësisë dhe të mos mbeten vetëm një iniciativë individuale.



