85 gra në Norvegji u mashtruan për 750 mijë euro, policia norvegjeze heton rrjetin që drejtohej nga Kosova

Policia norvegjeze është duke hetuar një rrjet të madh mashtrimi financiar në rajonin e Rogalandit, i cili dyshohet se drejtohej nga tre persona që qëndronin në Kosovë, ndërsa në organizimin dhe realizimin e skemës ndihmoheshin nga të rinj në Norvegji.


Sipas transmetuesit publik norvegjez, NRK, më shumë se 20 persona të moshës 18 deri në 24 vjeç nga jugu i Rogalandit janë nën hetime.


Policia norvegjeze ka gati një vit që po heton këtë rast, ndërsa deri më tani janë identifikuar 85 viktima, kryesisht gra të moshuara. Autoritetet dyshojnë se numri i të mashtruarve mund të kalojë 100 persona.

Sipas vlerësimeve të policisë, dëmi financiar arrin në rreth tetë milionë korona norvegjeze, apo afërsisht 750 mijë euro.
“Deri më tani bëhet fjalë për 85 raste”, ka deklaruar Lars Ole Berge, prokuror policor në Distriktin Policor Sor-Vest.
Shuma më e madhe e përfituar nga një viktimë e vetme dyshohet të jetë 853 mijë korona norvegjeze, rreth 80 mijë euro.


Bëhet fjalë për mashtrime të njohura si smishing dhe vishing, të cilat realizohen përmes mesazheve SMS dhe telefonatave, me qëllim që viktimat të zbulojnë të dhënat personale, fjalëkalimet bankare ose të transferojnë para në llogari të caktuara.


Sipas prokurorit Berge, personat që kryenin telefonatat vepronin nga Kosova, ndërsa viktimat ishin të shpërndara në pjesë të ndryshme të Norvegjisë.
“Viktimat janë nga i gjithë vendi dhe të gjitha rajonet e tij. Personat që kanë kryer telefonatat kanë qëndruar në Kosovë”.

Hetimet nisën më 18 dhjetor të vitit të kaluar, pasi një grua rreth të pesëdhjetave kishte raportuar në polici se ishte mashtruar. Mesazhet dhe telefonatat vinin nga Kosova, por paraqiteshin sikur dërgoheshin nga numra norvegjezë.
Në këtë skemë, të dyshuarit në Norvegji dyshohet se kishin role të ndryshme në organizimin e mashtrimeve, përfshirë përgatitjen dhe zbrazjen e llogarive bankare, si dhe përdorimin e të ashtuquajturave “mushka financiare”.
Ky term përdoret për personat që pranojnë para në llogaritë e tyre bankare dhe më pas i transferojnë ato në llogari të tjera, shpesh jashtë vendit, ose i tërheqin për t’ua dorëzuar personave të tjerë.


Policia ka bërë të ditur se njëri nga personat që dyshohet se vepronte nga Kosova është arrestuar në aeroportin Gardermoen, në kuadër të një operacioni të zhvilluar në fillim të këtij viti. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, një tjetër person që dyshohet se kishte rol udhëheqës në rrjet është ekstraduar nga jashtë vendit në Oslo.
Sipas Berge, ky person fillimisht duhet të përballet me akuza për vepra të tjera të rënda dhe me një aktakuzë në një rajon tjetër të Norvegjisë lindore, para se të merret me rastin që po hetohet nga policia e Sør-Vest.


Prokurori ka bërë të ditur gjithashtu se hetimet kanë nxjerrë në pah se personat kryesorë të dyshuar kishin bërë jetë luksoze, duke blerë mallra të shtrenjta dhe vetura sportive.
Dy nga të dyshuarit vazhdojnë të jenë në paraburgim, ndërsa policia synon t’i mbajë atje deri në fillimin e gjykimit, i cili pritet të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, hetimet ende nuk kanë përfunduar. Autoritetet janë duke mbledhur informacione nga bankat dhe institucionet financiare brenda dhe jashtë Norvegjisë, si dhe duke analizuar provat e sekuestruara dhe intervistuar personat e përfshirë.


“Na pret ende shumë punë. Jemi duke mbledhur informacione nga bankat dhe institucionet financiare në Norvegji dhe jashtë saj. Po bëjmë grumbullim të gjerë të informacioneve, shqyrtim të provave të sekuestruara dhe analiza, ndërsa duhet të zhvillohen ende edhe intervista me persona të përfshirë”, ka deklaruar Berge.
Policia norvegjeze po zhvillon paralelisht edhe hetime për gjurmimin dhe rikuperimin e përfitimeve financiare që dyshohet se janë siguruar përmes kësaj veprimtarie kriminale.

Artikuj të tjerë

Back to top button