Kurti premton rritje të pagave dhe investime të reja në të gjitha fushat
Kryeministri, si dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se gjatë katër viteve të qeverisjes së tij, Kosova ka arritur progres.
Në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur në Sallen e Kuqe në Prishtinë, ia tha se sot në Kosovë, nga aspekti socio-ekonomik, kulturor, i sigurisë, i sovranitetit dhe i tërësisë territoriale, nuk ka qenë kurrë gjendja më e mirë.
“Rritja jonë ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e punësimit. Nga 350 mijë të punësuar, sa kishim gjetur në pranverën e vitit 2021, sot kemi 430 mijë, pra një rritje gati 23%. Kjo rritje është shprehur kryesisht tek gratë dhe tek të rinjtë, pasi ky ka qenë synimi ynë: gratë dhe të rinjtë të punojnë sa më shumë, në çdo cep të Kosovës”, tha Kurti.
Ai ka theksuar sidomos investimet në sektorët kryesorë si bujqësia dhe arsimi. “Buxheti për arsimin është rritur me 30%, duke mundësuar që niveli universitar të jetë falas për Bachelor dhe Master. Janë ndarë mbi 11 mijë bursa, me vlerë mbi 15 milionë euro, kryesisht për të rinjtë dhe sidomos për vajzat,” tha Kurti.
Ndërsa përmendi edhe se qeveria ka dyfishuar buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ka shtuar numrin e zyrtarëve policorë.