Gjykimi për vrasjen në Mitrovicë, fëmijët e të akuzuarit rrëfejnë se çfarë panë ditën kritike
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, fëmijët e mitur të të akuzuarit Kemal Mustafa, A.B., dhe I.B., kanë treguar para trupit gjykues se çfarë kishin parë ditën kritike të 11 gushtit 2023 dhe një ditë pas saj.
Në këtë rast, Kemal Mustafa, akuzohet se vrau S.M., duke e therur me thikë 33 herë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua i mituri A.B., i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Fetije Bajrami, tha se tani të akuzuarin e ka njerk.
Ai tha se në ditën kritike derisa kishte qenë se bashku me tani të akuzuarin dhe vëllain e tij I.B., duke mbledhur kanaçe nëpër kontenjerë të bërllokut, aty kishte shkuar tani i ndjeri S.M., i cili e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrë babën e tij, duke insistuar që të shkojë në automjetin e tij.
I mituri deklaroi se pasi babai i tij kishte hyrë në automjetin e tani të ndjerit, atij dhe vëllait të tij iu kishte thënë që t’i vendosin shishet e mbledhura në biçikletë dhe të shkojnë në shtëpi.
Dëshmitari tha se babanë e kishin parë të nesërmen në shtëpi pasi ishte zgjuar nga gjumi, dhe se i njëjti kishte qenë i lënduar në qafë dhe në fytyrë.
Në anën tjetër, i mituri tjetër I.B., tha se një ditë pasi kishte ndodhur ngjarja kritike, e kishte parë babanë e tij (tani të pandehurin) në shtëpi, por nuk e kishte parë se ka qenë i lënduar.
Dëshmitari I.B., tha se në oborrin e shtëpisë ka qenë vetura të cilën e kishte parë në ditën kritike, pra automjetin e tani të ndjerit S.M.
Paraprakisht, psikologja Albana Shabani, konstatoi se të miturit A.B., dhe I.B., janë në gjendje stabile dhe mund t’iu përgjigjen pyetjeve të parashtruara nga ana palëve.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të daktiloskopisë (gjurmëve të gishtave), Avni Dragobuzhda, i cili tha se në kushte ideale një gjurmë e gishtit mund të ekzistojë me vite dhe të zhvillohet në kushte laboratorike.
Eksperti tha se në rastin konkret gjatë procesit të nxitjes së vijave papilare është bërë edhe testi pozitiv me mostra të njëjta, në mënyrë që të jetë e sigurtë se procesi i zgjedhur ka shkuar sipas kritereve të përcaktuara.
Ndërsa, eksperti i serologjisë dhe ADN-së, Lutfi Ismajli, tha se në këtë rast kanë qenë gjithsej 19 dëshmi, dhe se të gjitha dëshmitë janë ekzaminuar dhe janë nxjerrë konstatime si në raport.
Ai tha se në konstatimin e parë nga tetë dëshmi është fituar një profil i ADN-së së një personi, i gjinisë mashkullore, ndërsa në kontatimin e dytë tek dëshmia b1.1 është fituar një profil tjetër që dallon nga i pari, dhe se për këtë arsye është quajtur person i dytë, i panjohur dhe i gjinisë mashkullore.
Ndrësa në dëshminë d.2., tha se është fituar një profil i ADN-së i një personi të panjohur, i gjinisë femërore.
Kurse, eksperti mjeko-ligjor, Valon Hyseni, duke u përgjigjur pyetjeve lidhur me autopsinë e tani të ndjerit, tha se vdekja e S.M., ka ardhur si pasojë e shpuarjes së zemrës, dhe prerjes së enëve të gjakut në regjionin e qafës.
Ai tha se tani i ndjeri S.M., ka vdekur nga plagë të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë, prerës dhe shpues ( i mprehtë me maje dhe teh).
Eksperti Hyseni tha se tani i ndjeri ka pësuar plagë vetëm në gjysmën e sipërme të trupit, prej kokës deri te brezi, ndërsa nuk ka pasur plagë në gjymtyrët e poshtëm të trupit.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Fatos Sejdijaj njoftoi se është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik për të pandehurin Kemal Mustafa, por që nuk ka përfunduar.
Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, ndërsa ajo e radhës u caktua për një datë tjetër.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës, të cilin e ngarkon se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi me thikë dhe i shkaktoi vdekjen.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë së bashku me djalin e tij të mitur A.K., duke mbledhur kanaçe nëpër kontejnerë të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkojë në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku më pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin se pse e kishte dërguar aty, i njëjti thuhet se i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.
Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur, në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.
Me këtë, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.