A e mbështesin Osmanin për Presidente? Deklarohen deputetët e LDK-së

Disa nga deputetët e LDK-së u deklaruan shkurt para mbledhjes të Grupit Parlamentar nëse do ta votonin edhe për një mandat presidenten Vjosa Osmani, në rast se nominohet. Mirëpo, të gjithë ata që u deklaruan, nuk dhanë përgjigje direkte.
Deputeti Anton Quni tha se qëndrimin personal do e shpreh në organet e partisë.
“Aty merret vendimi. Unë do pajtohem me vendimin. Tani do i marrim informatat nga kryetari Abdixhiku”- tha ai në lidhje me takimin Kurti- Abdixhiku.
“Do e diskutojmë. Do bëjmë debat dhe do marim një vendim”- tha ai kur u pyet se a do e mbështeste një marrëveshje LVV- LDK.
Kurse, deputeti Armend Zemaj tha se fillimisht ka votë për njerëzit e LDK-së, e pastaj “shohin për të tjerët”.
“Unë kam votë njëherë për njerëzit e LDK-së, e pastaj e shohim..”- tha Zemaj.
“Do ta shohim” – tha shkurt edhe deputeti Ukë Rugova i pyetur për Vjosa Osmanin.
Deputeti Kujtim Shala ka bërë të ditur se do të mblidhet grupi parlamentar i partisë për të diskutuar për çështjen e Presidentit.
“Jo – nuk kemi diskutuar për emra të veçantë. Për zgjidhjen në parim do të bisedojmë sot. Pas takimit do të merrni një deklaratë. Kemi takim të Grupit Parlamentar”- tha ai shkurt për media më 03.03.2026, kur u pyet se a kanë diskutuar për Vjosa Osmanin si kandidate të mundshme për presidente.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, deklaroi se takimi shkoi në mënyrë konstruktive, por ende nuk e kanë zgjidhjen.
“Takimi shkoi në mënyrë konstruktive, kur të ka diçka të re iu njoftojmë. Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do të iu njoftojmë nëse kjo bëhet së shpejti”- tha ai për media.
Ky ishte takimi i tyre i tretë në lidhje me këtë çështje.
Vetëm dy ditë kanë mbetur deri në afatin për zgjedhjen ose rizgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ende nuk është propozuar asnjë kandidat nga partitë politike dhe nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike. Nëse institucionet nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin me kohë, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re politike.
Edhe pse janë zhvilluar takime mes liderëve të partive, duket se qëndrimet nuk kanë ndryshuar. Personi për të cilin ishte përfolur se mund të siguronte mbështetjen e të gjitha partive, Murat Jashari – djali i Rifat Jasharit – ka bërë të ditur se si familje nuk kanë ambicie për pozitën e president, dhe se “një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile”.
Në anën tjetër, presidentja aktuale Vjosa Osmani është shprehur e gatshme për një mandat të dytë, por deri tani Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar zyrtarisht emrin e saj. Në anën tjetër, gatitshmëri për postin e presidentit ka shprehur edhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.
“E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që t’i kemi 84-85 vota dhe për këtë është duke u bërë beteja me këto komunikime e takime që po i zhvillojmë”, tha Kurti pas takimit të dytë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, më 02.03.2026.
Për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Si parti e vetme, këtë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 57 deputetë, kurs të tjerat kanë krejt më pak se 30. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para kërkohen 80 vota të deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Kurti tha se për shkak se mundësitë janë aty, do të vazhdojë të komunikoj në mënyrë që edhe në dy ditët e ardhshme që të arrijnë tek rezultati dhe pastaj te suksesi i zgjedhjes së presidentit.
“Por tash për tash nuk mund të them që ka diçka të re, meqenëse në njërën anë figurë konsensuale nuk kemi e as marrëveshje politike nuk kemi sidomos kur prej PDK u tha se propozimi duhet të jetë partiak e kjo e bën më të ndërlikuar çështjen” – shtoi ai.
Ndryshe prej Kurtit, kryetari Abdixhiku pas takimit me Kurtin ishte më i hapur për kandidat për President. Ai nuk hezitoi të shprehet se nuk e përjashtojnë rizgjedhjen e Osmanit edhe kësaj radhe.
“Nuk kemi qasje refuzuese ndaj askujt, e aq në pak ndaj zonjës Osmani”- tha ai.
Mirëpo, ai shtoi se në këtë moment e sheh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare.
“Nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që është na është prezantuar. Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK me 15 vota nuk mundet të propozojë këtë emër ose të nominojë dikë”- tha Abdixhiku.
Tri ditë më parë, një takim të dytë mbajti edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza deklaroi se nuk ka ndonjë emër të përveçëm për diskutim, por ka propozuar që të propozohet nga PDK.
“Në takimin e dytë që pata me Kurtin, pas mbledhjes së kryesisë së PDK-së gjatë ditës; si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit, për të shmangur zgjedhje të reja, kërkuam që të zgjedhet presidenti i propozuar nga PDK”- tha Hamza në konferencën e mbajtur më 28.02.2026.
Vjosa Osmanit i skadon mandati i presidentes më 05.04.2026. Ajo ishte zgjedhur presidentja e gjashtë me radhë që nga paslufta më 04.04.2021. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar. 11 vota ishin të pavlefshme.



