Aksioni i Speciales: KRU ‘Gjakova’ me kryeshefin në rrenë, prokuroria njoftoi se sekuestroi dokumente

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka tentuar ta demantojë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, duke e hedhur poshtë raportimin se gjatë bastisjes në objektin e kësaj kompanie dhe në shtëpinë e Kryeshefit Ekzekutiv, janë sekuestruar dokumente.
Në reagimin e publikuar në rrjetin social, Facebook, nga KRU “Gjakova”, thuhet se lajmet e tilla janë publikuar vetëm nga disa portale dhe se ato janë të pavërteta, duke theksuar se nuk u sekuestra asnjë dokument i kompanisë.
“Në disa portale është publikuar lajmi se gjatë bastisjes së ndërmarrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në objektin e KRU “Gjakova” dhe në shtëpinë e Kryeshefit, janë sekuestruar dokumente. Kjo nuk është e vërtetë. Sqarojmë me përgjegjësi të plotë se gjatë këtij veprimi nuk është sekuestruar asnjë dokument nga hapësirat e kompanisë sonë dhe as nga shtëpia e Kryeshefit. Çdo pretendim i tillë është i pasaktë dhe i pavërtetuar”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq, në një tentim tjetër për demantim, edhe kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, e shpërndau postimin.
“Misionet e Prokurorisë Speciale, hetuesve policorë dhe portaleve, për fat të keq nuk ka kush t’i gjykojë. Në vazhdim me punë dinjitetshëm”, shkroi Hasan Krasniqi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës, e kanë realizuar urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar një urdhër kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie.

Sipas komunikatës së përbashkët, hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal.