Aktakuzë ndaj pesë personave për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave.

A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V, dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas dosjes së organit të akuzës, e pandehura A.B., në cilësinë e personit zyrtar – instruktore në auto-shkollën “A.B A.F.”, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka pranuar dobinë pasurore nga e dëmtuara në shumën prej 200 euro, në mënyrë që kësaj të fundit t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes. Me këto veprime e pandehura A.B., ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ sipas KPRK-së.

“Po ashtu, të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., që nga data 04.04.2025, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore të auto-shkollave, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe me dijeni të plotë, kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, me qëllim që të përfitojnë dobi materiale në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë transmeton Klankosova.tv.

Me këto veprime, të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Ndërkaq, ndaj të pandehurit E.L., prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve, lidhur me veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm që i pandehuri ta ketë kryer këtë vepër penale”, thuhet tutje në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale të korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të llogaridhënies institucionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button