Akuzohen nga Prokuroria se dëmtuan KEK-un për 36 milionë euro, Krasniqi e Zejna deklarohen të pafajshëm

Nagip Kransiqi dhe Isuf Zejna nuk e kanë pranuar fajësinë edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Prokuroria Speciale po i akuzon se nga veprimet e tyre, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë mbi 36 milionë euro.

Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Në këtë rast i akuzuar është edhe Ymer Dragusha ndaj të cilit në seancën e datës 07.02.2025 ishte bërë aprovimi i marrëveshjes së fajësisë nga Gjykata, në mes të Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Ymer Dragusha.

Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimit për pafajësinë të të dy të akuzuarve, seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve hyrëse të këtij procesi gjyqësor, nga Prokuroria dhe mbrojta e të akuzuarve.Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me kryetar të Trupit Gjykues, Rrahman Beqiri. Ndërsa Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

Kujtojmë se Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-Kryeshef i KEK-ut. Lidhur me Aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

Çka thotë Aktakuza e dytë e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?

Nagip Krasniqi si Kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Litëin S.A”, në rastin e aktivitetit të prokurimit, lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.Tutje, sipas Prokurorisë, më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5.

Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Ndonëse Kryeshefi i asaj kohe Nagip Krasniqi kishte dijeni për Raportin e Komisionit dhe gjetjet e tij, siç theksohet në Dosje, ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha që të nënshkruajë Kontratën. Këtë e kishte bërë përmes e-mail-it, më 25.01.2023. Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të Kontratës.

Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit. Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej mbi 36 milionë euro.Me këtë në Dispozitivin e Parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kështu , sipas Prokurorisë ,më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet Operatori Ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për Kontratë.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe Ymer Dragusha si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button