
Kryeministri në detyrë Albin Kurti është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet që Serbia kreu ndaj popullit shqiptar.
Këto deklarata Kurti i dha përderisa bëri homazhe në 27 vjetorin e masakrës së Reçakut, pikërisht në memorialin ku janë vendosur emrat e 45 viktimave që u masakruan nga dora e regjimit serb, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi.
“Para 27 vjetësh, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker, u bë e ditur e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua, u vetëdijesua dhe u mobilizua edhe opinioni publik ndërkombëtar, si dhe kancelaritë diplomatike perëndimore”.
“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve. Lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të Kombit, të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku”, deklaroi Kurti.



