BE nuk do t’i heqë masat ndaj Kosovës as pas transferimit të pushtetit lokal tek serbët në veri

Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë, “po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojën dyfishtë”.
Edhe pse tash e një kohë të gjatë nga Bashkimi Evropian kishin paralajmëruar se masat ndaj Kosovës do të hiqen sapo të kryhet “transferimi normal i pushtetit lokal në komunat veriore”, heqja e masave nuk pritet të ndodhë, së paku jo para se të përfundojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kështu mëson KOHA nga disa burime diplomatike në BE. Këto burime përcjellin disponimin mes vendeve anëtare të BE-së, të cilat akoma janë të ndara rreth heqjes së masave, edhe pse shumica e madhe e tyre janë për heqjen e menjëhershme të masave, përcjell, TandemPress.



