Bedri Hamza flet për prioritetet, partneritetin me ShBA-të dhe qeverinë e ardhshme, sipas tij

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka folur për vizionin e tij për qeverisjen e ardhshme, rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe prioritetet që do të jenë pjesë e agjendës së qeverisë së ardhshme. Ai ka shprehur qartë bindjen se vendi ka nevojë për stabilitet dhe besueshmëri në raportet ndërkombëtare, duke u fokusuar veçanërisht tek marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hamza theksoi rëndësinë e një partneri të besueshëm për SHBA-në dhe ndikimin që kjo ka pasur në dialogun strategjik me ta. “Porositë amerikane janë se ata duan një partner të parashikueshëm dhe të besueshëm. Si rezultat i kësaj ka ardhur ndërprerja e dialogut për partneritet strategjik, për shkak të këtyre veprimeve dhe mungesës së besueshmërisë e parashikueshmërisë. Ata duan që, përveç si vend mik, të na shohin edhe si vend partner,” tha ai. Kjo nënvizon shqetësimin e tij për nevojën e besueshmërisë institucionale dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë.

Bedri Hamza gjithashtu u shpreh për qeverinë e ardhshme, duke paralajmëruar një koalicion të mundshëm të partive që kanë qenë në opozitë gjatë mandatit të kaluar. “Nëse më pyet cila është preference ime për qeverinë e ardhshme, unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them publikisht, preferenca ime është që ne të kemi qeveri, edhe unë besoj në këtë dhe bazuar në të gjitha rrethanat kjo do të ndodhë, që qeveria e ardhshme të jetë prej partive që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Që i bie PDK, LDK, AAK edhe minoritetet e komuniteteve joshumicë, do të thotë komuniteteve tjera.” Ai shtoi se kjo strukturë e qeverisë do të reflektojë edhe programet dhe bindjet e secilës parti, duke shtuar: “Sipas vlerësimit dhe sipas bindjeve të mia kjo do të jetë përbërja e qeverisë së ardhshme, edhe për shkak të programeve tona, edhe për shkak të bindjeve tona, edhe për shkak se me disa parti kemi edhe dallime konceptuale, prandaj kjo është ajo çka unë pres që do të ndodhë.”

Një tjetër fokus i deklaratave të tij ka qenë përmirësimi i kushteve ekonomike për qytetarët. Bedri Hamza premtoi një rritje të pagave për 50% për sektorë të ndryshëm, duke përfshirë arsimtarët, personelin shëndetësor, policinë, ushtrinë, zjarrfikësit dhe shërbyesit civilë. “Kemi premtuar rritjen e pagave 50%, dhe po qe s’e bëj në fillim të mandatit, as fundi i vitit nuk më zë në zyrë të kryeministrit. S’kam pse rri. Do të jap dorëheqje, do të kërkoj falje që s’kam mundur t’i mbaj premtimet, e përfundoj mandatin dhe vjen dikush tjetër. Jam i vetëdijshëm sa është kostoja e kësaj, e di nga mbulohen, dhe e di që ka mundësi me ndodhë, ndonëse nuk është e lehtë. Por rritja e pagave prej 50% edhe për arsimtarë, për personelin arsimor, për personelin shëndetësor, për policë, ushtarë, zjarrfikës, për shërbyes civilë, për mbi 85 mijë njerëz që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës,” deklaroi ai.

info@tandempress.net
Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button