Begaj vizitë në Maqedoninë e Veriut, kërkon zbatimin e ligjit të gjuhëve

Gjatë një vizite zyrtare ne Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj kërkoi një përfaqësim dinjitoz të faktorit shqiptar atje dhe zbatim të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik, me kontribut kyç në avancimin Euroatlantik”, tha Begaj.
Gjatë një konference të përbashkët me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Begaj u ndal edhe te zbatimi i projektit strategjik të Korridorit VIII.
“Korridori VIII është shembulli më i qartë se si bashkohen siguria dhe zhvillimi. Ai lidh Mesdheun me Detin e Zi, shkurton distanca, ul kosto, rrit konkurrueshmërinë. Për biznesin është arterie tregtie, për qytetarët është mundësi punësimi, për rajonin është mesazh sigurie dhe se bashkëpunimi është më fitimprurës se izolimi. Korridori VIII është më shumë se një rrugë transporti, është projekt strategjik i integrimit rajonal dhe i sigurisë Euroatlantike, si dhe e vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në zemër të këtij boshti strategjik. Viti 2026 na gjen përballë sfidave të reja gjeopolitike. Siguria evropiane sot nuk matet vetëm me deklarata, por me infrastrukturë konkrete dhe ndërlidhje strategjike. Investimi në Korridorin VIII është investim në mbrojtje kolektive, në rritje ekonomike dhe në integrim rajonal”, tha Begaj.
Begaj siguroi Presidenten e Maqedonisë se Veriut Siljanovska-Davkova se Shqipëria mbetet e angazhuar jo vetëm për bashkëpunimin politik, ekonomik e shoqëror, por dhe për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor.



