Cakolli thotë se zgjedhjet e reja të mundshme mund ta zënë KQZ-në pa anëtarë të rinj

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, njohës i çështjeve zgjedhore ka shkruar në Facebook se institucionet e Kosovës “duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje”.
Ai këtë e ka thënë në kohën kur po diskutohet në qoftë se moszgjidhja e presidentit të Kosovës – për të cilën afati i fundit është sot- e çon vendin në zgjedhje.
Kjo nënkupton para së gjithash qartësi për përbërjen e KQZ-së (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve), që është e lidhur me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, tha tutje ai.
Specifikisht, Cakolli ka thënë se në një skenar të mundshëm kur vendi do të shkonte në zgjedhje, afati për emërimin e anëtarëve të KQZ-së “është tashmë jashtëzakonisht i ngushtë”.
“Për më tepër, institucioni që i organizon ato duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hyhet në debat për legjitimitetin e tij”, përfundoi Cakolli.



