Dëmet nga protestat në Tiranë, Tatimet identifikojnë 127 biznese të prekura, vlera arrin në 2.15 milionë euro

Administrata Tatimore ka identifikuar deri më tani 127 biznese të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa vlera totale e dëmeve të raportuara arrin në 2.15 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 55 biznese janë evidentuar nga verifikimet e kryera në terren nga punonjësit e administratës, ndërsa 72 subjekte të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.

Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, me qëllim mbledhjen dhe përditësimin e informacionit mbi humbjet materiale të shkaktuara në ambientet tregtare, raporton Topchanel.

Administrata Tatimore po kryen kontrolle në terren, ndërsa po shqyrton edhe të dhënat e deklaruara nga vetë bizneset e prekura.

Përmes një njoftimi, Tatimet u kanë bërë thirrje subjekteve që kanë pësuar dëme të përdorin shërbimin “Dëmi im”, të aksesueshëm në portalin e-Albania, për të raportuar dëmtimet në aktivitetin e tyre.

Dëmet materiale janë shkaktuar gjatë protestave të zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet, ku janë dëmtuar ambiente dhe njësi të ndryshme tregtare.

Artikuj të tjerë

Back to top button