
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës mund ta mbështesë kandidaturën e Fatmir Limajt për kryetar të Kuvendit, ndërsa ka kërkuar reflektim të përgjithshëm pas më shumë se tre muajsh bllokadë institucionale.
“Ka kaluar tash e tre muaj, mendoj që duhet të reflektojmë ne si deputetë, të gjithë së bashku dhe veç e veç,” tha Nura, duke folur para seancës konstituive të radhës.
Ai theksoi se Limaj ka treguar vlera të rëndësishme në të kaluarën dhe se për të pasur një pozitë shtetërore, është e domosdoshme dashuria për vendin.
“Unë kam thënë se mendoj që PDK-ja do të votojë Fatmir Limajn për kryeparlamentar. Mendoj që Limaj në një kohë ka treguar një aset të cilin e vlerësoj shumë, dhe për të pasur një pozitë shtetërore duhet që së pari ta duam këtë vend,” u shpreh Nura.