Dëshmia e Duncan në Hagë: “Propaganda serbe”, “UÇK-ja pa hierarki formale”, “Thaçi s’jepte urdhra”

Ish-diplomati britanik John Stewart Duncan, këshilltar politik i ish-komandantit të NATO-s Wesley Clark gjatë viteve 1998–2001, nisi sot dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes në rastin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në thelb të rrëfimit të Duncan ishte struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte një hierarki ushtarake të formalizuar, por një organizim të shpërndarë ku pushteti real qëndronte te komandantët rajonalë — çka e detyroi NATO-n të bisedonte drejtpërdrejt me ta për çmilitarizimin.
“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, tha ai.
“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, deklaroi ai në Gjykatën Speciale të Hagës.
Duncan deklaroi se ishte ai vetë autori i tekstit të marrëveshjes së çmilitarizimit të UÇK-së dhe se ishte i pranishëm në nënshkrim, duke shpjeguar modelin “angazhim për dorëzim armësh me garanci për transformim” që u ofrua luftëtarëve për t’u integruar në shoqëri.
“Ky është nënshkrimi i marrëveshjes së UÇK-së për demilitarizimin në mëngjes, herët, 21 janar 1999. Z.Thaçi, gjenerali Jackson, gjenerali Reef, dhe isha edhe unë. Unë isha i pranishëm sepse unë e kam shkruar tekstin e marrëveshjes. Ideja për marrëveshjen e çmilitarizimit doli si rezultat i bisedave të mia me gjeneralin Jackson. Detyra ime ishte të mbuloja çështjen e Kosovës. Michael Durkee ishte me gjeneralin Jackson duke u marrë me Kumanovën, e unë isha në Bruksel, të shihja çfarë ndodhte në Uashington. Kishte ndryshim ore, por zakonisht kryeqytetet na informonin, ne bënim bisedat, dhe ndryshimet dërgoheshin sërish në kryeqytete”, tha ai.
Sipas tij, Thaçi nuk kishte legjitimitet të plotë demokratik në atë kohë dhe shumë vendime kërkonin pëlqimin e komandantëve të zonave; ai vetë “nuk e ka parë” Thaçin të jepte urdhra a direktiva.
“Asnjëherë nuk kam parë që të jepte direktiva, apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloje njerëzish, e para me ushtarakun oficerin, dhe e dyta politikanin. Kjo ishte përshtypja që më ishte krijuar mua”, tha Duncan. Ai tha gjithashtu se UÇK-ja donte ta tregonte veten sikur nuk ishin vetëm ushtri guerile në mal.
Duncan e cilësoi propagandë serbe pretendimin se UÇK-ja kishte strukturë të rreptë dhe hierarki si ushtri e rregullt.
“Propaganda serbe, siç e kam kuptuar unë dhe prej informatave që kam marrë. Ata filluan që t’i quajnë terroristë dhe më pas t’i shohin si një kanosje reale, si një ushtri e rregullt e të disiplinuar me hierarki dhe që funksionon si një ushtri e rregullt”, u shpreh ai.
Sipas tij, ishte “shumë e lehtë të visheshin disa persona me uniforma dhe bereta” për të krijuar pamje disipline, por kjo nuk përfaqësonte një strukturë të mirëorganizuar.
“Shumë lehtë është të gjesh uniforma për gjashtë persona dhe t’ua gjesh beretat. Kështu që nuk mund të them se sa e nevojshme ishte të bëhej një gjë e tillë.
“Nga përvoja e vizitave në vende të tjera mund të pritesh nga një gardë e veshur mirë, ndërkohë që ushtria është copë-copë…jo kjo nuk është shprehje e një strukture të mirë organizative. Nga përvoja ime dhe nga informacione nga burime të ndryshme që kishim në terren ishte se kjo ishte një ushtri guerile, shumë kaotike siç mund të ishte në fakt”, tha ai.
Duncan është dëshmitari i tretë i mbrojtjes, pas ish-zëdhënësit të Departamentit të Shtetit James Rubin dhe juristit Paul Williams. Rubin dëshmoi javën e kaluar se Thaçi nuk kishte autoritet real komandues mbi strukturat luftarake, teksa Williams foli për mënyrën e ndërveprimit me komandantët gjatë Rambujesë.