Dështimi për formimin e qeverisë së re, Kurti përpiqet t’ua hedhë fajin LDK-së e Nismës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka arsyetuar dështimin e formimit të qeverisë së re me refuzimin e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës të hënën, Kurti tha se asnjëra prej dy partive politike të cilave Vetëvendosje u bëri ftesë për koalicion “nuk pranuan që të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje”, ndonëse tha ai “vota e qytetarit, kësaj radhe, kishte përcaktuar që duhet të kishte një koalicion qeverisës.”
“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe zhvilluam disa takime me Nismën”, tha Kurti, në një adresim nga objekti i Qeverisë së Kosovës.
“LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshti të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezonin ndryshe këto parti, ne jo vetëm që do të kishim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çëdhtjes së zgjedhjes së presidentit e cila na pret pas vetëm katër muajve”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranoi të bëhej ftesë e një qeverie me Vetëvendosjen, pa PDK-në.
“Duke e parë disponimin e elektoratit të LVV-së dhe LDK-së, kemi pasur vështirësi që ta shkëpusim LDK-në nga PDK-ja. Në vitin 2020, ia arritëm, por vetëm për 51 ditë. E provuam përsëri me lidershipin e ri të LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë sesi LDK pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne, ishte që edhe PDK-ja të jetë aty brenda. Për ne, kjo është e papranueshme sepse e dëmshme”, tha Kurti.



