
Për më shumë se një vit dheu që rrëshqiti nuk është hequr tërësisht nga një pjesë e autostradës në afërsi të Prizrenit.
Ministria përgjegjëse, ajo e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës që udhëhiqet nga Vetëvendosje nuk arriti që ta largonte krejtësisht dheun që rrëshqiti, por e hapi vetëm një korsi.
Këtë javë në këtë vend, dy gra humbën jetën si pasojë e aksidentit dhe në të njëjtin vend për 24 orë u shkaktua edhe një aksident, në të cilin mbetën të lënduar dy persona.
Policia e Kosovës më 11 dhjetor kishte konfirmuar se aksidenti me fatalitet ndodhi në afërsi të punishtes në autostradë.
“Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, drejtuesi i një kamioni derisa ishte duke lëvizur në afësi të punishtes, nga pakujdesia ka goditur viktimën, ku shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Orë më vonë edhe e aksidentuara tjetër vdiq.
“Policia ka dalë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacionin policor. Është njoftuar prokurori i Shtetit lidhur me rastin dhe në bashkërendim me prokurorin po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhej më tej.



