
Nga Ganimete Musliu
Ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës i afrohen fazës së tyre të fundit, debati publik rreth themelimit të tyre është intensifikuar. Megjithatë, reflektimi mbi mënyrën se si u krijua kjo gjykatë zbulon një histori komplekse të presionit ndërkombëtar, dinamikës politike dhe dezinformimit të përhapur – elementë thelbësor që formësuan rrugën e vështirë të Kosovës drejt themelimit të Gjykatës Speciale.
Presion nga të gjitha anët
Për të miratuar gjykatën Speciale ë vitin 2014, 2015 dhe 2016, deputetët e Kuvendit të Kosovës u përballën me një presion shumë të madh. Ky presion nuk erdhi vetëm nga aktorët ndërkombëtarë, por u mbështet fuqishëm edhe nga udhëheqësit politikë, mediat dhe shumë qytetarë që besonin se ndërhyrja ndërkombëtare ishte “për të mirën e vetë Kosovës”. Zërat kundërshtues, përfshirë edhe timin, u margjinalizuan dhe shpesh u portretizuan si të shkëputur nga realiteti ose si provincial.
Gjatë kësaj periudhe hasa shpesh qytetarë, të cilët në vazhdimësi i ishin ekspozuar një dezinformomi të llojit të vet, që më pyesnin: “Pse nuk e dëgjon Hashim Thaçin?” Në media, u portretizova si një deputete provinciale që nuk i kuptonte çështjet ndërkombëtare. Ndërsa korridoreve të politikës pëshpëritej “vetëvrasja” ime politike. Kishte madje propagandë që sugjeronte se do të përjashtohesha nga lista zgjedhore e partisë sime pikërisht për shkak të kundërshtimit tim ndaj themelimit të gjykatës. Më vonë e mësova se kishte edhe kolegë deputet dhe gazetarë që kontaktonin rrethin tim familjar e shoqëror me qëllim që të rritej ndikimi ndaj meje për të ndryshuar qëndrim.
Pavarësisht sulmeve të tilla, unë mbeta e përkushtuar ndaj përgjegjësisë sime si deputete, duke kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate sepse argumenteve në favor të saj u mungonte baza bindëse ligjore dhe politike.
Megjithatë, duhet të pranoj publikisht se Hashim Thaçi respektoi qëndrimin tim dhe kurrë nuk më kërcënoi me veprime ndëshkuese, pavarësisht faktit se dikush në PDK përgjegjës për listat e kandidatëve më renditi të 81-tën nga 120 vende – një goditje e qartë politike. Por unë refuzova të viktimizohesha. Unë zgjodha të luftoja për vendin tim në parti dhe në Kuvend, duke pasur sukses vetëm falë mbështetjes së njerëzve atdhedashës dhe mbështetjes së palëkundur nga votuesit besnikë të PDK-së.
Ajo çfarë më lëndoi thellë ishte mënyra se si portretizimi mediatik e zvogëlonte aq shumë integritetin tim. Ata prej nesh që ngritëm duart kundër krijimit të gjykatës ishin shumë pak – pesë ose gjashtë deputetë maksimumi – të izoluar dhe të margjinalizuar. Ende nuk e kuptoj pse askush tjetër në spektrin politik dhe mediatik nuk na mbështeste.
Refuzimi i Argumenteve Kryesore: Një Qëndrim Personal dhe Politik
Kur Kuvendi i Kosovës u vu nën presion për të miratuar Dhomat e Specializuara, narrativat e përhapura mediatike këmbëngulën se gjykata ishte e nevojshme dhe se kundërshtimi i saj ishte i paimagjinueshëm. Më kujtohen biseda të panumërta ku u përballa me argumente të përsëritura që e dija se ishin të gabuara, dhe u përpoqa t’i bindja gazetarët që më intervistonin por edhe qytetarët se informacioni që kishin marrë ishte i manipuluar ose i rremë.
Argumenti kryesor ishte se nëse Kosova nuk e krijon gjykatën, Rusia dhe Kina do të shtyjnë përpara atë.” Ky argument që përdorej si presion, në të vërtetë, ishte një trillim politik i projektuar për ta bërë udhëheqjen e Kosovës të vepronte me urgjencë dhe opinionin publik të heshte.
Një gjykatë e OKB-së do të kërkonte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit – për të cilën 99.9% Rusia dhe Kina do ta vinin veton. Rusia dhe Kina nuk e njohin Kosovën dhe një qëndrim që do ta legjitimonte Kosovën si etnitet të veçantë bie ndesh me politikën e tyre të jashtme. Prandaj jam e bindur se përdorimi i këtij argumenti ishte një taktikë diplomatike për të ushtruar presion dhe për detyruar Kuvendin e Kosovës të miratonte Gjykatën Speciale. Kjo taktikë i shërbeu interesave të shteteve perëndimore të cilët donin llogaridhënie, por pa kaluar përmes KS të OKB-së ku me siguri do të përballeshin me veton ruse dhe kineze. Kosova, duke qenë në një pozicion varësie nga Perëndimi, pritej të krijonte “vullnetarisht” një gjykatë që asnjë shtet perëndimor nuk do ta pranonte kurrë për vete.
Edhe argumenti tjetër që kishte të bënte me paralajmërimet për izolim total diplomatik dhe pasoja katastrofike politike u ekzagjeruan në një shkallë të frikshme. Shihej qartë se po përdoreshin si presion për të siguruar pajtueshmërinë. Realiteti sot tregon se Kosova po përballet me sfida diplomatike dhe financiare – duke përfshirë vonesat për integrimin në BE dhe në procesin e njohjeve– pra, edhe sikur të mos votohej Gjykata Speciale probleme më të rënda nuk do të ndodhnin. Kosova është dhe mbetet strategjikisht e rëndësishme, veçanërisht me praninë ushtarake amerikane në Bondsteel.
Argumenti tjetër ishte ai se ne “duhet ta pastrojmë luftën e UÇK-së”! Dihet se diplomacia ndërkombëtare, si gjithmonë, i jep përparësi interesave kombëtare, jo pastërtisë së luftës çlirimtare të Kosovës. Ne duhej t’i kishim dhënë përparësi Kosovës dhe të kishim mbledhur informacion më gjithëpërfshirës; Sepse deputetët nuk janë thjesht përfitues të rrogave ose mbështetës të liderëve të partive, – deputetët janë roje të shtetit, përgjegjës për mbrojtjen e historisë, të tashmes dhe të ardhmes së tij.
Në atë kohë, zërat kundër gjykatës ishin të pakta dhe të margjinalizuara, por sot e shohim qartë se shumë nga argumentet e përdorura për të çuar përpara gjykatën ishin taktika politike dhe jo domosdoshmëri ligjore.
Kundërshtimi im nuk lindi nga arroganca apo nga besimi se isha më e zgjuara apo më patriotja, por sepse argumentet mbizotëruese në favor të gjykatës nuk ishin bindëse dhe nuk përputheshin me betimin e deputetit që bëra për të mbrojtur interesat e Kosovës.
Isha e gatshëm të rrezikoja karrierën time politike, por jo përgjegjësinë time si deputete.
Shkëputja me popullin e Kosovës
Dhomat e Specializuara veprojnë kryesisht nga Haga, të përbëra kryesisht nga personel ndërkombëtar. Institucionet e Kosovës janë të përjashtuar nga rolet vendimmarrëse, duke përforcuar perceptimet se kjo është “gjykata e tyre”, jo “e jona”. Kjo shkëputje, e përkeqësuar nga heshtja e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, thelloi përçarjet shoqërore dhe mosbesimin.
Procesit i mungojnë mekanizmat mbrojtës dhe transparenca e mjaftueshme. Klasa politike e Kosovës dështoi të negocionte afatet ligjore, përfshirjen lokale ose garancitë që mbronin interesat e Kosovës. Në vend të kësaj, nën presion të frikshëm një kombi të tërë iu imponua një kompromis i dhimbshëm.
Reflektimi dhe Llogaridhënia
Gjykata Speciale doli zyrtarisht nga një rezolutë e Këshillit të Evropës bazuar në Raportin e Dick Marty-t. Si një rezolutë politike, ajo nuk është detyruese për themelimin e një gjykate për të hetuar në mënyrë të njëanshme krimet e kryera në Kosovë.
Përgjegjësia politike dhe historike për këtë proces u takon të gjithë të përfshirëve – nga partitë politike dhe shoqatat e veteranëve të luftës deri te media dhe shoqëria civile. Ndërsa zërat kundërshtues ishin të pakët dhe të margjinalizuar, është thelbësore të kujtojmë se rezistenca civile dhe debati kritik nuk janë kërcënime për drejtësinë siç akuzohemi përherë, por janë shtylla kryesore të demokracisë.
Sot, ndërsa shtrirja e gjykatës shpaloset para nesh, ne duhet t’i bëjmë vetes pyetje të vështira:
➢ A ishin udhëheqësit politikë mjaftueshëm aktivë dhe transparentë?
➢ A i mbrojti diplomacia e Kosovës në mënyrë adekuate interesat kombëtare?
➢ A po përdoren thirrjet për mosndërhyrje në drejtësi për të heshtur shqetësimet tona legjitime
➢ Pse ata që duhet të bashkojnë shoqërinë përhapin dezinformata se çdo kundërshtim dëmton krerët e UÇK-së?
➢ E shumë pyetje tjera.
Mësimi që duhet nxjerrë:
Themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës është një kapitull i shënuar nga kompleksiteti dhe polemika. Për të ndërtuar një kulturë më të fortë demokratike, ne duhet të përqafojmë llogaridhënien, të nxisim dialogun e hapur dhe të sigurojmë që proceset e drejtësisë të jenë të rrënjosura në transparencë dhe pronësi lokale.
Ndërsa vendi përballet me të kaluarën e tij, ne duhet të mbrojmë lirinë – jo vetëm me fjalë, por edhe në praktikë, duke mbajtur lart parimet që udhëhoqën luftën për pavarësi.
Liria ka vërtetë një emër, por ky emër duhet të mbrohet, jo të përdoret.