Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, mbahet panel diskutimi nga AGK

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, sot u mbajt një panel diskutimi me temën “Ndikimi i profesionit në shëndetin mendor të punonjësve të mediave”, i organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ngjarja u hap me fjalë hyrëse nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, dhe Pascale Roussy, Drejtore e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë, raporton KlanKosova.tv.
Në fjalën e tij, Rexha theksoi se, përkundër rolit kyç të mediave në një shoqëri demokratike, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida serioze, përfshirë fushata të vazhdueshme për delegjitimimin e punës së tyre dhe gjuhë denigruese që cenon besimin e publikut. Ai bëri thirrje për respektimin e lirisë së medias dhe për forcimin e mbrojtjes institucionale për gazetarët.
Ndërkaq, Roussy theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për gazetarët dhe mediat në Kosovë, duke nënvizuar se liria e shtypit dhe mirëqenia e gazetarëve janë thelbësore për funksionimin e demokracisë. Ajo vuri në pah se shëndeti mendor i gazetarëve duhet të trajtohet si prioritet, dhe se institucionet, redaksitë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të bashkëpunojnë për të krijuar mekanizma mbështetës dhe mjedise më të sigurta pune.
Në anën tjetër, Ardiana Thaçi Mehmeti ngriti shqetësimin për sulmet dhe linçimet që ndodhin përmes platformave online, përfshirë grupe si “Albkings” dhe platforma të tjera si Discord, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike të gazetarëve.


