Dy ditë radhazi u kap me shpejtësi 164 dhe 140 km/h në zonën 60 km, gjobitet kundërvajtësi me nga 500 euro, dhe i sekuestrohet vetura

Policia e Kosovës i shqiptoi gjoba një kundërvajtësi që është kapur dy ditë radhazi duke tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë në rrugën Prishtinë–Pejë, në fshatin Qyshk.

Drejtoria rajonale e Policisë në Pejë njoftoi se më 10 tetor 2026, shoferi është kapur duke vozitur me 164 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h. Matja është bërë me radar laser, ndërsa atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh.

Të nesërmen, më 11 tetor, i njëjti kundërvajtës është kapur sërish në të njëjtin lokacion, kësaj here me shpejtësi 140 km/h, po ashtu në zonën e kufizuar në 60 km/h.

Policia bëri të ditur se shoferi kishte ndalesë për drejtimin e automjetit deri më 18 nëntor 2026.

Për shkeljen e dytë, atij i është shqiptuar sërish gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh si dhe i është sekuestruar automjeti.

Artikuj të tjerë

Back to top button