Dy persona që ishin të kërkuar në Kosovë, arrestohen në Tiranë nën dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore

Policia e Shtetit shqiptar njoftoi se ka arrestuar dy persona, banues në Tiranë, pasi ishin shpallur në kërkim nga Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore.
“Në Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B.dhe G.H, banues në Tiranë.
Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut/Kosovë, më 13.01.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, parashikuar nga Kodi penal i Kosovës. Shtetasit u ndaluan me qëllim ekstradimin drejt autoriteteve të Kosovës” tha policia.
Çka është trafikimi me njerëz, dhe si e parasheh kodi penal i Republikës së Kosovës?
Trafikimi me njerëz është vepër penale që dënohet deri më 15 vite burgim me ligjet e Kosovës. Trafikimi afekton personat, familjet dhe komunitetin në tërësi. Viktima të trafikimi mund të jenë persona të moshave, gjinive, etnicitetve dhe kombësive të ndryshme.
Trafikim me njerëz nënkupton rekrutim, transportim, transferim, strehim ose pranim i personave me anë të kanosjes ose të përdorimit të forcës apo me forma të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, keqpërdorimit të pushtetit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave apo përfitimeve për të arritur pëlqimin e personit që ka kontroll mbi personin tjetër, me qëllim të shfrytëzimit.



