E konfirmon Trumpi: Khamenei ka vdekur

23:04 – E konfirmon Trumpi: Khamenei ka vdekur
Donald Trump ka konfirmuar vdekjen e liderit suprem iranian, Khamenei, në rrjetin e tij social, “Truth Social”.
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur”, shkroi Trumpi në një postim.
Presidenti amerikan tha se Khamenei “nuk ia doli t’i shmangej” sistemeve amerikane të inteligjencës dhe gjurmimit, dhe “nuk kishte se çfarë të bënte as ai e as liderët tjerë që janë vrarë bashkë me të”.
Trumps e quan këtë veprim “mundësinë e vetme më të madhe për popullin e Iranit që ta kthejnë vendin e tyre”.
Ai tha më tej se Uashington ka dëgjuar se shumë pjesëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit, ushtarakë e forca tjera të sigurisë e policore “nuk duan më të luftojnë”.
Trump la të kuptohet se ai do donte t’u jepte atyre “imunitet”.
Ai shton se, së bashku me vdekjen e udhëheqësit suprem, Irani “në vetëm një ditë, është shkatërruar shumë dhe, madje, është zhdukur”.
Megjithatë, bombardimet e rënda do të vazhdojnë “të pandërprera gjatë gjithë javës ose, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shton presidenti amerikan.
Konfirmimi i vdekjes së Khameneit vjen pas një numri pretendimesh dhe kundër-pretendimesh nga Izraeli dhe Irani më herët sot.
22:37 – Trump: Besojmë se raportet për vdekjen e Khameneit janë të sakta
Presidenti amerikan Donald Trump është pyetur drejtpërdrejt për raportimet se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite.
I pyetur nga rrjeti amerikan NBC News nëse ka marrë konfirmim ose nëse beson se Khamenei ka vdekur, Trump u përgjigj: “Nuk dua të komentoj për këtë, por thashethemet dhe informacionet që kemi janë se ai është vrarë”, raporton SkyNews, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur për reagimin e tij, presidenti amerikan tha: “Ai ka vrarë shumë njerëz. Shumë, shumë njerëz. Ka shkatërruar jetë, ka shkatërruar familje dhe ka shkatërruar një vend të tërë”.
Sa i përket mënyrës dhe kohës kur do të ketë konfirmim zyrtar për vdekjen e raportuar të Khameneit, Trump tha: “Kam folur me shumë njerëz, nga të gjitha nivelet, dhe ne jemi të bindur – ndjejmë se kjo histori është e saktë”.
Zyrtarë izraelitë pretendojnë se Khamenei është i vdekur dhe se trupi i tij është gjetur, ndërsa autoritetet iraniane mohojnë çdo gjë, duke thënë se ai është “duke komanduar situatën në terren”.
Një zyrtar i lartë amerikan, i informuar mbi operacionet aktuale ushtarake dhe inteligjencën, i tha NBC News se Khamenei ishte “pothuajse me siguri i vdekur”.
Shtëpia e Bardhë publikoi edhe një fotografi të presidentit Trump duke monitoruar operacionin ndaj Iranit nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago në Florida. /Klankosova.tv
21:39 – Trump: Shumica e lidershipit iranian është vrarë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se një pjesë e madhe e lidershipit iranian është vrarë nga sulmet izraelite dhe amerikane atje.
Ai gjithashtu tha se ShBA-ja ia ka idenë se si do të duket grupi i ardhshëm i udhëheqësve iranianë.
“Ne nuk i dimë të gjitha, por shumica prej tyre [janë vrarë]”, thotë Trump në një intervistë telefonike, raporton BBC.
Ndërkaq, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha ka “shenja në rritje” se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë nga sulmet amerikane dhe izraelite.
Më parë, nga Irani kishin thënë që Ali Khamenei është shëndosh e mirë, por ndryshe po thonë kundërshtarët e tij. /Klankosova.tv
20:17 – Netanyahu fton iranianët të “dalin në rrugë”, thotë se ka shenja që Khamenei “nuk është më”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar popullit iranian, duke thënë se sulmet do t’i ndihmojnë ata “të çlirohen nga tirania”.
Ai thotë se ata kanë “shansin e gjeneratës” për të rrëzuar regjimin iranian, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Dilni masivisht në rrugë” dhe “kryejeni punën”, tha ai.
“Është koha e fundit që ju të bëheni bashkë” dhe “të bashkoheni për një mision historik”.
Netanyahu foli edhe për sulmin ndaj rezidencës së liderit suprem të Iranit në Tehran, Ayatollah Ali Khamenei.
Madje, ai tha se “ka shenja në rritje se ky diktator” “nuk është më”.
Kryeministri izraelit e përfundoi adresimin e tij duke iu bërë thirrje qytetarëve të Izraelit të dëgjojnë këshillat e sigurisë nga Komanda e Frontit pasi la të kuptohet se operacioni kundër Iranit do të vazhdojë “për aq sa të jetë e nevojshme”. /Klankosova.tv
19:25 – BBC: Mbi 200 të vdekur nga sulmet në Iran
Zëdhënësi i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, Mojtaba Khaledi, thotë se deri më tani 201 persona janë vrarë në sulmet e sotme në vend, raportuan mediat iraniane, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Khaledi thotë se 747 persona janë plagosur, duke shtuar se 24 provinca nga 31 të Iranit janë goditur. /Klankosova.tv
18:59 – Sky News: Ali Khamenei është “shëndoshë e mirë”
Udhëheqësi suprem i Iranit raportohet se është gjallë dhe “shëndoshë e mirë”.
Siç raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv, Ministria e Jashtme e Iranit, pretendon se udhëheqësi suprem dhe presidenti Ajatollah Ali Khameneit është gjallë.
Më parë, imazhet satelitore treguan tym dhe dëme të shumta në kompleksin e Ajatollah Ali Khameneit. /Klankosova.tv
18:35 – Shtëpia e Bardhë: Trump ka folur me Netanyahun rreth sulmeve ajrore ndaj Iranit
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Donald Trump ka folur në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar sulmet ajrore ndaj Iranit.
Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Trump monitoroi situatën gjatë natës në Mar-a-Lago së bashku me anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare.
Faqja zyrtare X e kryeministrit të Izraelit gjithashtu konfirmoi bisedën, duke postuar një foto të Netanyahut në telefon.
Leavitt tha se para sulmeve, sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i telefonoi të gjithë anëtarëve të Bandës së Tetëshave për të njoftuar Kongresin, duke arritur te shtatë nga tetë anëtarët.
Ajo shtoi se Trump do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën me ekipin e tij të sigurisë kombëtare gjatë gjithë ditës. /Klankosova.tv
18:24 – Nga Dubai në Doha, Irani ka nisur një sërë sulmesh në mbarë rajonin
Pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, duket se Teherani ka nisur kundërpërgjigjen e tij në disa vende të Lindjes së Mesme – kryesisht në zona ku ka baza ushtarake amerikane ose vende aleate të ShBA-së, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
- Në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, një shpërthim u pa në hotelin Fairmont The Palm. Autoritetet thanë se katër persona u plagosën pasi “ndodhi një incident në një ndërtesë në zonën Palm Jumeirah”.
- Ministria e Mbrojtjes së EBA-së njoftoi gjithashtu se ka penguar një valë të re raketash dhe dronësh iranianë, pasi më herët deklaroi se vendi ishte goditur nga “një sulm flagrant me raketa balistike iraniane”.
- Në Doha, Katar, janë raportuar shpërthime që duket se synonin bazën ajrore al-Udeid, bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon.
- Në Bahrein, një bazë e Marinës së ShBA-së “është vënë nën sulm me raketa”, sipas një deklarate të cituar nga agjencia shtetërore Bahrain News Agency.
- Në Kuvajt, janë dëgjuar shpërthime, ndërsa agjencia shtetërore KUNA raportoi se një dron që synonte aeroportin ndërkombëtar shkaktoi “lëndime të lehta te disa punonjës” dhe “dëme të kufizuara” në një terminal.
- Reuters raportoi se mbrojtja ajrore amerikane rrëzoi një dron mbi një bazë të ShBA-së pranë qytetit Erbil në Irak.
- Jordania, që kufizohet me Izraelin, njoftoi se forcat e saj të armatosura kanë rrëzuar dy raketa balistike, ndërsa mbetjet kanë rënë në disa lokacione.
- Izraeli ka raportuar gjithashtu një valë raketash iraniane, me sirena alarmi që janë dëgjuar në mbarë vendin. Ushtria izraelite tha se Irani synon të “fus frikë te qytetarët dhe të shkatërrojë lagje të tëra”. /Klankosova.tv
17:52 – Sulmi me raketa në Dubai shkakton zjarr në hotel luksoz
Një zjarr ka shpërthyer pranë hyrjes së hotelit Fairmont The Palm në Dubai, pasi thuhet se kanë rënë mbeturina nga qielli gjatë një sulmi me raketa iraniane.
Fotot në mediat sociale dhe videot e verifikuara nga Sky News tregojnë një flakë të madhe dhe tym që ngrihet nga jashtë ndërtesës.
Zyra e medias në Dubai tha se ekipet e reagimit ndaj emergjencave i janë përgjigjur një “incidenti” në një ndërtesë në zonën e Palm Jumeirah.
Thuhet se katër persona janë plagosur dhe janë dërguar në spital.
b



