Osmani: Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri

Në përkujtim të 28-vjetorit të masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se gjaku i të rënëve u bë një thirrje për qëndresë, dinjitet dhe liri.

Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Serbisë kreu një nga aktet më brutale të terrorit shtetëror në Kosovë, duke vrarë 24 banorë, prej të cilëve 20 civilë dhe 4 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë heroikisht në mbrojtje të popullatës.

Presidentja Osmani theksoi se ky gjak i derdhur u bë pjesë e themelit të rrugëtimit drejt çlirimit dhe shtetndërtimit, ndërsa kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve mbetet amanet për drejtësi dhe ruajtjen e lirisë.

“Kjo ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën. Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri. Ata u bënë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi ynë drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.Kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit është amanet për drejtësi dhe për ta ruajtur lirinë me çdo kusht”, shkroi Osmani.

Artikuj të tjerë

Lexo edhe për
Close
Back to top button