Ballina

Edhe këtë vit blerja e teksteve shkollore do të subvencionohet nga MASHTI

Ministria e Arsimit edhe këtë vit do t’i subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa 1 deri në të 9-ën. Aplikimi pritet të hapet në fillim të muajit gusht. Kështu, kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. E, njohës të fushës së Arsimit po vlerësojnë se procesi i furnizimit me tekste shkollore për nxënësit dy vitet e kaluara është përcjellë me disa probleme, por se ka sjellë edhe disa përparësi.

Edhe përkundër që dy vitet e kaluara ka pasur pakënaqësi nga ana e prindërve dhe është vlerësuar si jo i qëlluar subvencionimi i prindërve për pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore, edhe këtë vit Ministria e Arsimit pritet që së shpejti të hapë thirrjen për aplikim.

Ministria e Arsimit në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur së të gjithë nxënësit do të kenë kohë të mjaftueshme të pajisen me tekste shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Procesi dhe shpallja e thirrjes për subvencionim nga MASHT-i do të publikohet së shpejti, dhe të gjithë përfituesit e kësaj skeme do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u furnizuar me tekste shkollore dhe materiale mësimore para fillimit të vitit shkollor 2025/2026.”

Tutje, në përgjigjen e Ministrisë bëhet e ditur se këtë vit ministria, përmes grupeve punuese kanë analizuar dhe kanë nxjerrë rekomandime e reflektime mbi bazën e përvojës nga vitet e kaluara.

“Grupet punuese në kuadër të MASHT-it kanë analizuar dhe kanë nxjerrë rekomandime e reflektime mbi bazën e përvojës nga vitet e kaluara. Procesi dhe shpallja gjithashtu, përgatitja e moduleve të veçanta për verifikimin e nxënësve është duke u avancuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa roli i shkollave do të jetë më aktiv për të siguruar që mjetet të shkojnë te secili nxënës dhe furnizimi me tekste shkollore të realizohet me transparencë të plotë.”

Procesin e subvencionimit me tekste shkollore për nxënësit, njohës të fushës se arsimit po e vlerësojnë se ka sjellë disa probleme për sa i përket shpërndarjes se tyre.

Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës së ky proces është përcjellë me disa probleme, por se ka edhe përparësitë e veta.

“Një proces me disa përparësi por edhe dobësitë e veta e të cilat janë shfaqur në dy vitet e zbatimit të deri tanishëm . Është pikërisht angazhimi i prindërve ajo pjesa të cilën unë e konsideroj që është prej dobësive, sepse njësoj mendoj se ka qenë shtimi i hallkës së librarive edhe një hallkë shtesë që prindërit duhet të shkojnë në librari t’i marrin tekstet e jo siç ka qenë më herët tekstet shkonin në shkollë. Mirëpo, kjo i ka edhe anët pozitive që është se tash mësimdhënësit vërtet i zgjedhin tekstet të cilat janë më të përshtatshme për ta e jo si më herët që këtë e bënte ministria dhe nuk lejohej ajo qasja e duhur e alternativave, e zgjedhjes së mësimdhënësve e të tjera. Po ashtu qasja e re ka ndikuar që të ketë vonesa në furnizim me libra”.

Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin 2024 ka publikuar disa parregullsi që janë gjetur në ndarjen e subvencioneve për nxënësit nga klasa 1-9. Sipas ZKA-së, 154 përfitues në shumë prej 14 mijë e 150 euro ishin jashtë vendit, por të njëjtët morën subvencione nga shteti për blerje të librave.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button