Lajçaku e qet një kusht për mbajtjen e takimit të radhës për dinarin

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur gatishmëri që të pres në takim përsëri kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë serb, Petar Petkoviq për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. Herën e fundit, nuk pati rezultatet takimi mes tyre ndërsa afati kalimtar për dinarin tashmë ka kaluar.
I dërguar BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm që të pres në takim kryenegociatorët për punën e dinarit.
Ai ka thënë kushti kryesor për këtë takim është që palët të tregojnë gatishmëri për të arritur marrëveshje.
“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”.
“Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje.” – ka shkruar Lajçak.
Në takimin e fundit, Kosova dhe Serbia nuk kishin gjetur rrugën e marrëveshjes.
Për këtë gjë, Bashkimi Evropian njoftoi se takimi tjetër do të thirret vetëm atëherë “kur palët të japin sinjale gatishmërie për zgjidhje”.
“Takimi i fundit i sotëm dëshmoi se palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi për çështjet e mbetura të hapura. BE shpreh keqardhjen që sot nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje. BE vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje kompromisi për të shkuar para”.
Në anën tjetër, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e kishte cilësuar i të dështuar takimin, nën argumentin se pala serbe nuk ofroi gatishmëri për të diskutuar rreth propozimit të ndërmjetësit Lajçak.
“Takimi dështoi sepse nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për të diskutuar propozimin e (Miroslav) Lajcak [të dërguarit evropian për dialog]. Në fakt, pozicioni i tyre sot është prapakthyes në krahasim me tre takimet e mëparshme.” – kishte thënë ai.
Banka Qendrore e Kosovës kishte dhënë tre muaj periudhë kalimtare për çështjen e dinarit, prej 1 shkurtit efektivisht dhe esencialisht të ndaluar si mjet i ligjshëm pagese.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje “shtyllave të tjera të pushtetit” që në atë periudhë tre-mujshe të mos aplikoheshin dënime ndaj serbëve që shesin/blejnë në dinarë.
Ndërkohë, BQK-ja ditë më parë kishte publikuar disa statisika por që nuk kishte treguar nëse do të ketë dënime.
“Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar” dhe “Janë licencuar tetë ( 8 ) degë/zyra të institucioneve financiare”, kishin thënë nga BQK-ja në një komunikatë ku supozohej të shpjegohej çka është bërë në periudhën kalimtare tre muajshe.
Mbetet të shihet nëse do të ketë takim të radhës për dinarin.
Kujtojmë se kjo rregullore kishte nxitur reagime të mëdha të palët ndërkombëtare, të cilët kishin kritikuar Qeverinë Kurti për moskoordinim me ta.