Forcat amerikane zhvillojnë një tjetër operacion në Karaibe, shkon në gjashtë numri i anijeve cisternë të sekuestruara

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një tjetër anije cisternë në Detin e Karaibeve, duke e çuar në gjashtë numrin e anijeve të ndaluara në kuadër të përpjekjeve për të kontrolluar eksportet e naftës venezueliane, bënë të ditur zyrtarë amerikanë.
Sipas BBC-së, anija cisternë Veronica u hip në bord gjatë një operacioni , i cili u zhvillua “pa incidente”, pasi sipas ushtrisë amerikane ajo po shkelte “karantinën e anijeve të sanksionuara” të vendosur nga Presidenti Donald Trump. Komanda Jugore e ShBA-së deklaroi se vetëm nafta e eksportuar “në mënyrë të koordinuar dhe ligjore” do të lejohet të largohet nga Venezuela.
“Veronica është cisterna më e fundit që operon në kundërshtim me karantinën e vendosur nga Presidenti Trump për anijet e sanksionuara në Karaibe”, thuhet në një postim të Komandës Jugore në rrjetet sociale, i shoqëruar me video të operacionit ku shihen marinsa dhe marinarë duke hipur në anije.
Sipas shërbimit të monitorimit TankerTrackers.com, Veronica, një cisternë nafte bruto me flamur të Guajanës, ishte nisur bosh nga ujërat venezueliane në fillim të janarit. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare Detare tregojnë se anija kishte qenë më parë e regjistruar në Rusi me emra të ndryshëm.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së, Kristi Noem, deklaroi se operacioni u krye në “bashkëpunim të ngushtë” mes ushtrisë, Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë.
“Burrat dhe gratë tona heroike të Rojës Bregdetare realizuan edhe një herë një operacion të ekzekutuar pa të meta, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, shkroi ajo.



