
Deputetja Ganimete Musliu ka reaguar me një mesazh prekës pas rivarrimit të eshtrave të një fëmije të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim, Musliu ka kujtuar Sinan Dautin, i cili ishte vetëm 9 vjeç kur u vra gjatë luftës dhe u gjet pas 27 vitesh. Ceremonia e lamtumirës u mbajt në Prekazi i Epërm, një vend që mbart simbolikë të thellë historike dhe dhimbje kolektive për shqiptarët e Kosovës.
“Sa të thella i ke plagët, Drenicë…”, shkroi Musliu, duke theksuar se humbja e një fëmije në rrethana të tilla nuk është vetëm tragjedi familjare, por plagë e gjithë vendit.
Ajo kujtoi se Sinani duhej të jetonte një fëmijëri të zakonshme, me lojëra dhe ëndrra, por jeta e tij u ndërpre në mënyrë mizore gjatë luftës.
Deputetja u shpreh se kjo dhimbje nuk mund të harrohet dhe se padrejtësitë e së kaluarës nuk duhet të mbeten pa përgjigje.
Në fund të mesazhit të saj, ajo i dha lamtumirën fëmijës me fjalët: “Pusho i qetë Sinan, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës. LAVDI!”



