
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se aktivitetet kërkimore në lokacionin ‘Përzhina’, në Rahovec, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ku janë gjetur mbetje mortore të një individi.
“Si pjesë e vazhdimit të gërmimeve, gjatë pasdites janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që i përkasin një individi. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, janë gjetur mbetje mortore të një individi, ndërsa në ditën e parë të gërmimeve (pardje) janë gjetur dy pjesë kockore”, njoftojnë nga KQPZH.
Bëhet e ditur se mbetjet mortore të zhvarrosura, të cilat potencialisht iu përkasin viktimave të luftës që janë ende në Listën e Personave të Zhdukur, janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike.


