Ndikimi i agjërimit te pacientët me diabet- flet Dr. Rina Tafarshiku, endokrinologe në QKUK

Agjërimi është një praktikë me vlera shpirtërore dhe shëndetësore, por për personat me diabet, ai mund të paraqesë sfida serioze. Endokrinologët theksojnë se para se të vendosin të agjërojnë pacientët me diabet duhet të konsultohen me një mjek për të shmangur komplikimet që mund të shkaktojë ndryshimi i orarit të ushqimit dhe kufizimi i lëngjeve.
Sipas Dr. Rina Tafarshikut, endokrinologe në QKUK, diabeti është një sindromë metabolike e cila karakterizohet me çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, yndyrnave dhe proteinave si dhe rritja e nivelit të glukozës në gjak , shkruan Gazeta Shneta.
Sipas Dr. Tafarshikut, jo të gjithë pacientët me diabet mund të agjërojnë në mënyrë të sigurt.
“Agjërimi mund të lejohet te pacientët me diabet, sidomos tek diabetikët të cilët marrin vetëm barna, janë me terapi personale, por ndoshta nuk kish qenë mirë me agjëru pacientët që janë me diabet të tipit 1, që marrin insulinë 5 herë në ditë”, shpjegon ajo.
Ndërsa disa pacientë mund ta përballojnë ndryshimin e regjimit ushqimor, të tjerë janë në rrezik më të madh. “Përveç diabetit, agjërimi te personat që janë me diabet dhe kanë sëmundje kronike, sëmundje të veshkave, kanë probleme kardiake, pacientët të cilët janë me insulinë dhe që duhet të civilizojnë po ashtu nivelin e glukozës përmes marrjes së rregullt të insulinës, nuk rekomandohet”, thekson Dr. Tafarshiku.
Një nga aspektet më të rëndësishme për pacientët që zgjedhin të agjërojnë është mënyra se si ushqehen në vaktet e syfyrit dhe iftarit.
“Zakonisht iftari fillohet me një ujë dhe një hurmë, pastaj ushqimi që duhet të konsumohet është ushqimi me proteinë dhe me mish. Ushqimet e rekomanduara përfshijnë, mish pule, mish të kuq dhe peshk, perime të ziera, ushqime me përmbajtje fibrash” thotë Dr. Tafarshiku.
Sipas endokrinologes një nga problemet më të mëdha që mund të shfaqen gjatë agjërimit është ulja ose rritja e nivelit të glukozës në gjak.
“Nëse pacientët e vërejnë që nuk po ndihen mirë, kanë tharje të madhe të gojës, kanë etje të shtuar, ndihen si me shumë energji, atëherë i rekomandojmë të bëjnë matjen e nivelit të glukozës. Rekomandohet që pacientët ta ndalin agjërimin nëse sheqeri në gjak bie nën 3.9 mmol/L, sepse një rënie drastike mund të çojë në gjendje hipoglicemike të rrezikshme për jetën” thekson Dr. Tafarshiku