Haradinaj për heroin Afrim Bunjaku: Ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, në përvjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në njëvjetorin e rënies, zhvillova homazhe pranë varrit të tij dhe vizitova familjen e tij në Samadrexhë të Vushtrisë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrim Bunjakut.
“Me këtë rast, bashkëshortes së tij, Lumnijes, vajzës Arbenitës, djemve Jetlumit e Fatlumit dhe gjithë familjes Bunjaku, u shpreha respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Kosova dhe qytetarët e saj do ta kujtojnë përgjithmonë me respekt dhe përulje heroin Afrim Bunjaku”, është shprehur Haradinaj.