Gjilan: Arrestohet zyrtari i bibliotekës, mori rroga mbi 19 mijë euro për 3 vjet pa punuar

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, një bibliotekar dhe një zyrtar tjetër.
Sipas veprimeve të ndërmarra dhe provave të siguruara “dyshohet se i dyshuari i caktuar si bibliotekist në një shkollë, me kontratë pune për kohë të pacaktuar, për një periudhë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, në ndërkohë që ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.”
Në njoftim thuhet se në periudhën kohore prej vitit 2023 e deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 19,067.69 euro.
Ndërsa i dyshuari i dytë, në cilësinë e personit zyrtar, nuk ka raportuar mungesën e të dyshuarit në punë pranë autoriteteve kompetente, duke mundësuar kështu vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore, me ç ‘rast i njëjti po ashtu ka shkaktuar veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Të dy të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në prezencën e avokatëve dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.”



