
Një grabitje e rëndë e armatosur ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 20 dhjetorit në qytetin e Pejës.
Tre persona të dyshuar kanë hyrë me forcë në një shtëpi banimi dhe kanë vjedhur gjësende me vlerë rreth 33 mijë euro.
Rreth orës 03:20, Policia ka pranuar informacion për një grabitje në rrugën “Qamëria” nr. 49. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku viktimat kanë deklaruar se tre persona të dyshimtë, dy prej të cilëve me maska, ndërsa njëri me mjekër të madhe, kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tyre.
Sipas viktimave, të dyshuarit kanë qenë të armatosur me pistoletë, si dhe me mjete të ftohta (thikë dhe sakicë) dhe sprej OC, duke i kërcënuar familjarët dhe duke kryer grabitjen.
Nga shtëpia janë vjedhur: 1.500 euro para të gatshme, dukate ari në vlerë rreth 25.000 euro, një telefon iPhone 14 Pro Max.
Në momentin e grabitjes, në shtëpi ndodheshin G.G., rreth 54-vjeçar, V.G, rreth 43-vjeçare dhe D.G., rreth 19-vjeçar.
Gjatë hyrjes me forcë të të dyshuarve, njëri nga ta ka pësuar lëndime në fytyrë, për çka ka pranuar tretman mjekësor.
Pas kryerjes së grabitjes, personat e dyshuar janë larguar në drejtim të panjohur, ndërkaq rasti është nën hetim.



