Hajdari thotë se aktakuza iu ngrit për inate politike, akuzon kryeprokurorin Blerim Isufaj

Rozeta Hajdari, e akuzuara e Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka akuzuar kryeprokurorin e kësaj prokurorie, Blerim Isufajn, për atë që ajo e quajti “inate politike”.

Ministrja në detyrë e Tregtisë ka thënë se aktakuza ndaj saj është ngritur për shkak se Qeveria nuk e kishte avancuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Hajdari ka akuzuar direkt kryeprokurorin Isufaj për aktakuzën ndaj saj.

“Prokuroria vendos të më ndjek mua politikisht për të luftuar qeverinë e cila shefin e saj, Blerim Isfuajn nuk e lejoi të avancoi në pozita ku do vazhdonte të vepronte në dëm të shtetit e për interesa të ndryshme duke mos anashkaluar ato të Serbisë, si në rastin kur kanë anuluar urdhërarrestin për Milan Radoiçiq”, ka deklaruar Hajdari.

Përpos kryeprokurorin Isufaj, Hajdari ka akuzuar edhe dy prokurorët që hartuan aktakuzën kundër saj, Valdet Gashin e Milot Krasniqin.

“Prokuroria në krye me Valdet Gashin e Milot Krasniqin që na kanë akuzuar ne, dy prokurë këta që nuk kanë fituar asnjë rast në gjykatë gjenden në konflikt interesi, duke zbuluar sekretin shtetëror e rrezikuar sigurinë kombëtare kanë mbledhur të ashtuquajtura prova në MINT. Me tendencë politike, Prokuroria po pretendon se veprimet e nxjerra ishin të paligjshme edhe pse të njëjtat përshkruajnë atë çfarë thotë ligji”, ka thënë Hajdari.

Ajo bëri të ditur se kanë ngritur padi ndaj kompanive që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj shtetit për mallrat e rezervave shtetërore, për çka shtoi se të gjitha paratë do të kthehen.

Artikuj të tjerë

Back to top button