
Një zjarr i jashtëzakonshëm përfshiu dje fabrikën e plastikës në qytetin e Drenasit.
Zjarri i shkaktuar nga rrethana akoma të paqarta nisi në ora 11:00, teksa vazhdoi për më shumë se 8 orë.
Dëmi i shkaktuar në fabrikën që gjendet te “Parku i Biznesit” konsiderohet të jetë milionësh, raporton Indeksonline.
Lidhur me këtë incident, sot ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT), dhe Agjencia Për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka përcjellë me shqetësimin më të lartë incidentin e krijuar dje në Parkun e Biznesit në Drenas.
Dje në vend të ngjarjes ka dalur ekipi nga sektori i Zonave Ekonomike, ku kanë përcjellë nga afër ngjarjen e po ashtu kanë takuar edhe pronarin e fabrikës së Plastikës Arian Shabani.
Kurse gjatë ditës së sotme ka qenë në vendngjarje edhe u.d. kryeshefi i Agjencisë KIESA, Zef Dedaj me bashkëpunëtorë” thuhet mes të tjerash në reagimin e MINT.
Në reagim shtohet se shkaqet e zjarrit janë akoma të paqarta.