Helmimi i nxënësve në Pejë, shkolla del me njoftim

Disa nxënës të një shkolle në Vitomiricë të Pejës dyshohet se janë helmuar, është njoftuar të mërkurën.
Prokuroria Themelore e Pejës po heton rastin dhe dyshimet e para janë se helmimi erdhi nga ushqimi i një lokali në afërsi të shkollës.
Sipas njoftimit të ShFMU “7 Shtatori”, tetë nxënës janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë.
“Në SHFMU ‘7 Shtatori’ në Vitomiricë, ku vijojnë gjithsej 664 nxënës dhe mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe gjuhën boshnjake, më datë 21.10.2025, pas orës së katërt mësimore janë paraqitur disa raste të nxënësve me simptoma si: vjellje, marramendje dhe ndjesi të përgjithshme lodhjeje”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se janë njoftuar edhe prindërit e shtuan se në objektin e tyre nuk ka vende shitjeje të pijeve apo ushqimeve dhe se nxënësit furnizohen me ushqim dhe pije nga lokalet jashtë shkollës.
Ndërkaq, policia bëri me dije se nxënësit dyshohet se u helmuan në një lokal pranë shkollës.