Helmohen disa nxënës të një shkolle në Vitomiricë të Pejës

Disa nxënës të një shkolle në Vitomiricë të Pejës dyshohet se janë helmuar të hënën.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se bëhet fjalë për 6 ose 7 nxënës.
Ai tutje ka treguar se nxënësit janë bartuar me autoambulancë për në QMF-në aty afër dhe kanë marrë tretman mjekësor.
“Sipas informacioneve të deritanishme që kemi, drejtoria e shkollës është njoftuar rreth orës 10 të mëngjesit se disa nxënës kanë shqetësime shëndetësore. Disa prej nxënësve janë bartur me autoambulancë për në QMF-në aty afër dhe kanë marrë tretman mjekësor, e më pas janë liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit është ftuar për intervistim drejtori i shkollës, i cili e ka dhënë deklaratën e tij. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse”, tha Gashi.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Naser Gega i cili pohoi se është i informuar për rastin.
“Po, jemi informuar për një rast që ka ndodhur atje. Nuk kam shumë informacione lidhur me rastin. Po thuhet se janë 30 nxënës, por ende nuk dihet numri i saktë”, deklaroi Gega.
“Jam duke shkuar te kjo shkollë për t’u njoftuar nga afër me rastin dhe pastaj dalim me detaje. Sipas informacioneve që kam, nuk ka qenë ndonjë rast tepër i rëndë. Nxënësit kanë pasur dhimbje barku dhe kanë marrë trajtim mjekësor”, tha ai për Klankosova.tv.