
Në kuadër të mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, ka ndërmarrë masa ndaj subjekteve ekonomike që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Gjatë këtyre inspektimeve, IQMT ka mbyllur një subjekt ekonomik që ushtronte veprimtarinë pa regjistrim në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ka konfiskuar produkte pa deklaracion të prejardhjes, si dhe ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 6,000 eurosh ndaj një subjekti tjetër ekonomik, i cili u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.
Këto veprime janë pjesë e angazhimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt, transparent dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.
IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut.



