Interi shënon moment historik në sulm, më i miri në 28 vjetët e fundit

Interi po përjeton një formë të jashtëzakonshme në repartin e sulmit, duke regjistruar statistika mbresëlënëse në fillim të sezonit. Me 17 gola të shënuar në kampionat dhe 5 të tjerë në Champions League, zikaltërit kanë realizuar plot 22 gola në vetëm 8 ndeshjet e para të sezonit – një arritje që nuk ishte parë që prej sezonit 1997-1998.
Në atë kohë, skuadra e drejtuar nga Gigi Simoni dhe e udhëhequr në sulm nga legjenda Ronaldo “Fenomeni”, përfundoi kampionatin në vendin e dytë. Sulmi i asaj skuadre përbëhej nga emra të mëdhenj si Zamorano, Recoba, Djorkaeff, Ganz dhe Kanu.
Ronaldo brazilian përfundoi sezonin me 34 gola në 47 ndeshje, duke lënë një trashëgimi të paharrueshme në historinë e klubit.
Tani, pas 28 vjetësh, Interi rikthehet fuqishëm. Cristian Chivu ka në dispozicion një arsenal alternativash në fazën sulmuese, me Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram që kanë shënuar nga 3 gola secili, ndërsa Ange-Yoan Bonny ka realizuar 2 gola dhe Francesco Pio Esposito figuron gjithashtu në listën e golashënuesve.
Megjithatë, shqetësimet vijnë nga mbrojtja. Interi ka pësuar 8 gola në kampionat – më shumë se shumica e rivalëve – duke rikthyer kujtimet e sezonit 1997-1998, kur ekipi i Simoni pësoi 7 gola në këtë fazë të sezonit.