IPK thotë se në koordinim me Prokurorin e Shtetit do vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në rastin e Lipjanit

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në rastin e Lipjanit, ku ka vdekur një person.
IPK bën të ditur se është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur. Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në njoftim.
IPK thekson se në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet në njoftim.