“Jutarnji”: Serbisë s’i ka faj Kroacia – s’ka BE pa i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe mediat që i shkojnë pas në Beograd, kanë nisur sërish një fushatë të ashpër kundër Kroacisë. Shkaku është pretendimi se Kroacia po e bllokon hapjen e Kapitullit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë me Bashkimin Evropian.

Ky kapitull, pra grup kapitujsh, është teknikisht i gatshëm për hapje tash e më shumë se tre vjet.

Komisioni Evropian ka përsëritur edhe këtë vit se Serbia i ka plotësuar “kushtet teknike” për hapjen e tij. Por hapja ose mbyllja e kapitujve vendoset me unanimitet në Këshillin e BE-së. E atje, pavarësisht mbështetjes së fortë për Serbinë nga Komisioni Evropian, Italia, Franca, Hungaria dhe disa shtete të tjera, ende ka të paktën tetë vende që janë të rezervuara ose kundër hapjes së këtij kapitulli. Këto vende theksojnë se kusht për progres në të gjitha kapitujt është sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, fusha ku nuk ka asnjë përparim.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së me të cilat ka biseduar gazeta kroate “Jutarnji”, gjatë diskutimeve për zgjerim në organet e Këshillit, kundër hapjes së “kapitullit 3” me Serbinë janë Gjermania, Belgjika, Holanda, të tre shtetet baltike, Suedia dhe Bullgaria. As Finlanda e Luksemburgu nuk janë entuziaste, ndërsa Danimarka, për shkak se aktualisht kryeson BE-në, mban neutralitet, transmeton Klankosova.tv.

Takimet e institucioneve të BE-së janë të mbyllura për publikun, kështu që nuk mund të përcillet saktë kush është për e kush kundër, pasi nuk votohet si në Eurovision. Megjithatë, komunikimet me disa diplomatë japin një pasqyrë të qartë për atmosferën.

“Prandaj, nxjerrja e Kroacisë si fajtore e vetme që “po e bllokon Serbinë” shërben kryesisht për propagandë të brendshme në Serbi, edhe pse as Kroacia nuk është e prirë të mbështesë hapjen e këtij kapitulli për momentin. Kroacia në takime ngre çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, por edhe retorikën e papranueshme të Serbisë ndaj fqinjëve. Megjithatë, ajo është shumë larg të qenit vendi i vetëm që po e ndal Serbinë drejt BE-së”, shkruan “Jutarnji”.

Teorikisht, kjo gazetë shkrua se ekziston mundësia që Serbia ta hapë këtë kapitull dhe të zhbllokojë negociatat e ngrira tash tre vjet. Por gjasat janë të pakta, përveç nëse Vuçiqi dhe Serbia nuk ndërmarrin papritur një hap të rëndësishëm në raport me Kosovën dhe sundimin e ligjit.

“Jutarnji” ka pasur qasje në draftin e konkluzioneve për zgjerim, që pritet të miratohen nga ministrat në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së më 16 dhjetor. Teksti tregon qartë sa larg është Serbia nga BE-ja dhe sa joreale janë pritjet e Komisionit Evropian në favor të Serbisë.

“Këshilli rikujton se progresi i Serbisë në sundimin e ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojë të përcaktojë dinamikën e përgjithshme të negociatave të anëtarësimit”, thuhet në dokument. Po ashtu theksohet se hapja e “kapitullit 3” është e kushtëzuar me sundimin e ligjit dhe Kosovën, edhe nëse kapitujt teknikisht janë gati dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këto fusha.

Dokumenti, sipas “Jutarnjit”, përmend edhe nevojën që Serbia të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, arsye pse shtetet baltike po e kundërshtojnë hapjen.

Më tej, Këshilli shpreh keqardhje për regresin në lirinë e shprehjes në Serbi, mungesën e përparimit në drejtësi dhe progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshilli shpreh shqetësim se Serbia po u jep shtetësi me procedurë të përshpejtuar shtetasve rusë, gjë që konsiderohet “rrezik potencial për sigurinë e BE-së”, pasi si shtetas serbë mund të udhëtojnë pa viza drejt BE-së.

Dokumenti nënvizon gjithashtu se Serbia duhet të bëjë më shumë për t’u përballur me të kaluarën – për të zbuluar të vërtetën për personat e zhdukur gjatë luftës, për të ndëshkuar krimet e luftës dhe për të mos glorifikuar kriminelët e luftës.

“Ka kritika të shumta edhe për mosrespektimin e marrëveshjeve nga dialogu me Kosovën. Edhe pse BE kritikon edhe Kosovën për çështje të caktuara, kjo nuk e zbut përgjegjësinë e Serbisë. Sidomos kërkohet që Serbia, sipas marrëveshjes së vitit 2023, të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës dhe të heqë dorë nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Këshilli shpreh ‘shqetësim të thellë’ që Serbia nuk ka marrë masa ndaj përgjegjësve për dhunën në veri të Kosovës më 2023”, shkruan gazeta kroate, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk ka justifikim për dhunën”, thuhet në draft. Këshilli “shpreh keqardhje të thellë” që Serbia nuk ka përmbushur pritjet për të siguruar përgjegjësi të plotë, përfshirë shkeljet e procedurave të dialogut për ndihmë juridike të ndërsjellë.

Rasti i sulmit në Banjskë në vjeshtën e vitit 2023, të cilin përfaqësuesi i lartë i BE-së e quajti “sulm terrorist”, është veçanërisht i rëndësishëm. Udhëheqësi i grupit, Millan Radoiçiq, ndodhet në Serbi, ka pranuar se e ka drejtuar sulmin, por nuk është procesuar.

Po ashtu, Serbia nuk ka ndëshkuar as ata që në maj 2023 sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, qytetarët dhe ekipet mediale në veri të Kosovës. Vetëm ata që janë arrestuar nga policia e Kosovës janë përballur me drejtësinë. BE i konsideron këto ngjarje incidente të rënda për sigurinë e rajonit dhe pret që Serbia t’i çojë fajtorët para drejtësisë, gjë që nuk ka ndodhur – shkruan “Jutarnji”.

BE kërkon gjithashtu hetime të pavarura për sulmet ndaj qytetarëve dhe gazetarëve gjatë protestave në Serbi.

Edhe pse ka fusha ku shihet përmirësim, si harmonizimi me politikën e jashtme, kriteret ekonomike dhe përdorimi i fondeve të planit të rritjes, tabloja e përgjithshme tregon se Serbia është larg të qenit gati për progres drejt BE-së. Madje, disa diplomatë vlerësojnë se Komisioni Evropian po e dëmton besueshmërinë e vet duke u angazhuar aq fuqishëm për Serbinë.

“Për këtë arsye, shumë vende anëtare ende besojnë se Serbia duhet të bëjë shumë më tepër për të përmbushur kushtet. Kroacia është më pak fajtorja në këtë proces”.

“Se Kroacia nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, kur ajo t’i përmbushë kushtet, e tregon edhe fakti se sot mbështetja për hyrjen e Serbisë në BE është më e lartë në mesin e qytetarëve kroatë sesa në mesin e vetë qytetarëve serbë. Për reputacionin e keq që ka BE-ja në Serbi, përgjegjës janë vetë përfaqësuesit e pushtetit dhe mediat e tyre, të cilat vazhdojnë retorikën negative. BE kërkon nga Serbia që të komunikojë për BE-në në mënyrë objektive dhe të qartë”, shkruan “Jutarnji”. 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button