Kapen me marihuanë në Prishtinë, dy të rinj dyshohen për shitje dhe shpërndarje të drogës

Një tjetër rast i rëndë i lidhur me narkotikë është zbuluar mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet, ku Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të shpërndarjes së substancave narkotike.

Gjatë patrullimit policor janë hasur katër persona duke qëndruar në një veturë të tipit Golf.

Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, gjatë kontrollit të personave dhe veturës është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, me peshë totale prej rreth 100 gramësh.

Në lidhje me rastin janë njoftuar menjëherë, hetuesi kujdestar i Stacionit Policor, si dhe Njësia Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Po ashtu, është kontaktuar edhe Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka autorizuar veprime të mëtejme hetimore.

Me vendim të Prokurorit, janë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale: “Blerje, shitje, shpërndarje e substancave narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Artikuj të tjerë

Back to top button